Miresevini.

Kete faqe ja perkushtoj perkushtohet Enologjis dhe Vreshtaris.

e premte, 29 janar 2010

Vera e Bordos me orgjin Shqipetare.




Tradita e vreshtarisë dhe verëtarisë në trevën e Bordosë, është nga më të lashtat dhe nga më të njohurat. Ndoshta janë të paktë, ata që nuk kanë dëgjuar për verën e famshme Bordo, por mund të jenë të shumtë shqiptarët që nuk e dinë se kjo verë prodhohet nga një lloj rrushi, i cili u mor fillimisht nga Durrësi dhe u kultivua në këtë trevë. Nuk është një lajthitje apo diçka e pabazuar në referenca të besueshme. Për këtë gjë flasin emra të njohur të antikitetit. Kolumela, i cili jep edhe referencën kryesore, ka shkruar një traktat me 12 libra për agrikulturën në Perandorine Romake. Kolumela e filloi karrierën e tij si ushtarak e më pas ai u bë një shkrimtar e një fermer. Traktati i tij prej 12 librash është një nga burimet kryesorë të informimit për agrikulturën romane. Ai vinte nga një familje e cila kishte nxjerrë emra të shquar në agrikulturë, si xhaxhai i tij Markus Kolumela, një fermer i jashtëzakonshëm. Pra, ky është një burim i sigurt reference dhe është pikërisht Kolumela i cili jep edhe emrin e rrushit i cili është “stërgjyshi” i vreshtave që u mbollën në Bordo. Natyrisht që edhe hardhitë që u morën kishin famë, përveçse përshtatshmëri me kushtet klimaterike të Bordosë. Ishte Balisku i shqiptarëve ai që solli në dritë verën Bordo që konsumohet edhe sot. Natyrisht që për Baliskun është folur shumë, nga studiues e ilirologë të ndryshëm, pasi ka qenë një nga varietetet e rrushit më të dëgjuar në Iliri. Ai është shpërndarë edhe në vende të tjera të Evropës. Këto artikuj, zbardhin për shqiptarët një të vërtetë, e cila të bën të ndiesh një krenari të merituar për traditën tonë ndër shekuj.

Lashtësia dhe ardhmëria e vreshtarisë-vertarisë shqiptare
Ju referohem emrave të njohur të antikitetit për këtë), se vreshtaria e Bordosë zë fill me sjelljen e hardhive nga Durrësi. Ishin një fis francez, Biturgët, ata që sollën në Francë, “stërgjyshërit” e Kabërne Savinjosë së famshme nga Durrësi dhe kësisoj, krijuan një traditë e kulturë që sot është e njohur në tërë botën. A është i ri ky fakt dhe a mund të kemi një panoramë më të plotë të vertarisë e vreshtarisë tonë në antikitet?
Është interesant ky fakt, pavarsisht se unë personalisht, artikujt e mësipërm, në të cilët shkruhet se si hardhitë e sjella nga Durrësi, u bënë bashkëgjak e të kultivuarit Kabërne Savinjo, ndoshta më i njohuri në botë, nuk i kam shfletuar.
Ky fakt më ngacmon më tej sepse në Bordo kam qëndruar një javë, pikërisht për të njohur verëtarinë dhe vreshtarinë e kësaj treve nga krahas të tjerave kemi prejardhjen e kultivatit të hardhive e llojet e verërave Kabërne Savinjo dhe Merlo. Treva Bordo është nga të parat në botë që llojet e verërave i klasifikonte (qysh më 1855) sipas shkallës së cilësisë, ndër të parat e prodhimit të verës dhe rrushit në sistemin “Kullë” (Chateaux) sepse prodhohen në territorin e kullës që e zotëron i njëjti pronar. Në Bordo shtrihen 120000 ha me vreshta ku Kabërne dhe Merlo përbëjnë 85% të prodhimit. Veçanti përbëjnë guvat nëntokësore që shërbejnë për qilare të ruajtjes së verërave, të cilat hera-herës janë edhe restorante me verëra shumë cilësore, ndërsa në sipërfaqe të tokës, mbi guvë e më gjerë, zeliten vreshtat.
Për shqiptarët, lashtësia në trojet e tyre nuk përbën thjesht një krenari të përligjur. Kjo shërben për të njohur më mirë e për të përfituar nga trashëgimia historike kulturore ajo ekonomike, teknike etj, prandaj pa rënë në ndjenja shqiptarie skajore, por mbështetur në dokumenta dhe fakte të tjera le të shtjellojmë traditën tonë në vreshtari dhe verëtari, kështu mund t’i shërbejmë së tashmes dhe së ardhmes. Në këtë drejtim ka krahasimisht pak hulumtime dhe botime. Pjesa më e madhe e tyre, janë të shpërndara nëpër hyrje të artikujve studimorë apo si thënie ose argumente në ndonjë libër për të dëshmuar kryesisht veprimtarinë jetësore për traditën shqiptare dhe atë mesdhetare.
Nëpërmjet gjetjeve dhe botimeve dokumentare, shumica të parashtruara nga arkeologë dhe etnografë, nga historianë dhe gjuhëtarë, nga specialistë të bujqësisë, gjeorgjikë etj, mund të ridëshmohet dhe përgjithsohet lashtësia e begatë e vreshtarisë dhe verëtarisë shqiptare përkrah vendeve të tjera në pellgun e Mesdheut, me huazimet dhe ndikimet e ndërsjellta. Këto dy mjeshtëri kanë shoqëruar jetesën dhe kulturën e popujve të Mesdheut nga lashtësia deri në ditët tona e kështu në vazhdim.
Lidhjet e Durrësit e më gjerë të Ilirisë vreshtare me vendet e tjera Mesdhetare dhe të Evropës Qendrore, arkeologu i mirënjohur, doktori i shkencave, Moikom Zeqo i ka dëshmuar dhe shtjelluar nga ana profesionale. Ai shkruan: “Plini, i cili ka jetuar në shekullin e parë pas Krishtit, përmend qytetarët e Dyrrahut që kultivonin Baliskun, një lloj rrushi që e kishin përcjellë deri në Spanjë, ku quhej Kokolob. Emri Baliskut lidhet me fjalën shqipe Balik-e bardhë. Kjo lloj hardhie autoktone zelitet në bregdetin jugor shqiptar dhe populli e ka emërtuar Vlosh. Materialet mbjellës nga vreshtat e famshme të Durrësit në mesjetë janë dërguar në disa vende të Evropës. Sipas albanologut Milan Shuflai, kjo lloj hardhie njihet me emrin Durracina, sepse ka prejardhje nga Durrësi.”

A mund të thuhet pa drojtje, se ne shqiptarët kemi një traditë të lashtë në vreshtari, çka mund të vëzhgohet lehtë nëpërmjet dëshmive të ndryshme të cilat vërtetojnë bashkëjetesën tonë me vreshtarinë e verëtarinë?

Për botën shqiptare mund të vëzhgohet me dëshmi dhe jehona për verëtarinë dhe vreshtarinë.
Një sërë skulpturash dhe relievesh, mozaikë me vile rrushi, enë ku ruhej vera të zbukuruara me vile rrushi dhe me njerëz të cilët mbanë kupa me verë etj, janë gjetur në Durrës, Apoloni, Bylis, Amantia, Lin, Orikum, Butrint etj. Ndër to spikat një shtatore prej mermeri, gjetur në Durrës, në të cilën janë të gdhendura vile rrushi. Në gjirin e Gramatës (Karaburun, Vlorë), arkeologu Moikom Zeqo ka zbuluar një amforë të skalitur në shkëmb, që sipas tij simbolizon mrekullinë e Krishtit i cili e shndërroi ujin në verë. Tradita vreshtare në Kosovë daton përpara 2000 vjetëve. Ndër dëshmitë është, mbishkrimi në pllakë guri, skalitur në alfabet latin dhe rrethuar me skalitje hardhish dhe vile rrushi : “ I përkushtohet ushtarit të vrarë në moshë 21 vjeçare, në vitin 60 pas lindjes së Krishtit, në vendin Krahorta.”
Historianë, gjeografë dhe dietarë të tjerë në lashtësi kanë dëshmuar për vreshtarinë dhe verëtarinë iliro-shqiptare.
Straboni shkruan për Ilirinë: “Gjithashtu i ngrohtë e frytdhënës është ky vend sepse ka plot ullishta dhe vreshta të mira. ....Ilirët eksportojnë verë në Romë që e mbajnë në enë druri.”
Aristoteli i madh përmend një lloj vere të bërë nga fisi i Taulantëve që tharmëtohej me anë të mjaltit.
Emërtime të lidhura me vreshtarinë, përbëjn një tjetër lashtësi dhe traditë shqiptare. Fshatra me emrin “vreshta” ka në rrethet Elbasan, Fier, Gramsh, Korçë. Pranë shumë grup shtëpive, hasen vende që quhen vreshta (psh në fshatrat Vallas, Dramosh, Muriq, Shtuf-Oblik, Dajç, Kullaj, Mes, Postubë, Vrakë etj si dhe në disa fshatra të Kosvës e të komunës së Tetovës).
Emrin Vinjoll të dy fshtrave në rrethet Mat dhe Kurbin, akademiku Eqerem Çabej dhe gjuhëtarë të tjerë e lidhin me fjalën latine “vinealis terra”, pra tokë për vreshtë. Çabej ka shtjelluar prejardhjen vendëse të fjalëve hardhi, vjel, vile, vresht, rrush, bërsi etj.
Te shqiptarët himnizimi i rrushit arrin deri aty sa përdoret si emër për njerëzit, sikurse femrat që quhen “Rrushe” ose rrush. Kjo ndodh edhe nëpër këngë si psh “U zgjua rrushja në mëngjes”, “Rrushe moj rrushe”, “Bëjmë zonjë dhëndërë” etj.
Nëpërmjet fjalës “rrushi” kanë zgjedhur dhjetra të tjera ku një pjesë e tyre emërtojnë lloje bimësh : “Rrush arushe”, “Rrush dhelpre”, “Rrush i alpeve”, “Rrushqyqe”, “Rrushtake”, “Rrushkuqe” etj.
Përveç dëshmive që tregojnë traditën, lashtësinë dhe cilësinë e kësaj kulture, a ka të dhëna më specifike apo statistikore që të hedhin dritë për zelitjen e hardhive dhe prodhimin e verës në Shqipëri?

Humanisti Frang Bardhi, në vitet ‘30 të shekullit të XVII, në parashtesën që i dërgonte Vatikanit shkruante se janë përzgjedhur vreshtat nga do të merret rrushi për prodhim vere që është e përcaktuar për në Vatikan. Këto vreshta përqëndroheshin në trevën e Tejdrinit / Zadrimës, ku mbizotëronte kultivari vendas “Kallmet”, me emër të shquar në disa vende të Evropës, për cilësinë e shquar të rrushit dhe të verës. Ky kultivar në to emërtohet Scadrca (Dalmaci), Kadarka (Hungari), Nero di Scutari (Itali), Raisin Noir de Scutari (Francë), Schzvartzes dhe Skutariuer (Austri e Gjermani), Gemza (Bullgari) etj.
Historiani Henri Enjalbert, në librin e tij “Historia e hardhisë dhe e verës” (Paris 1975), shkruan: “Trojet shqiptare janë ndër vatrat dhe vendet me histori më të gjatë për vreshtari në Evropë; së bashku me ishujt Jonianë dhe me Dalmacinë Jugore mund të kenë qenë strehimi i fundit për hardhitë pas periudhës së akullnajave.”
Iliria si burim kultivar hardhishë cilësore që u përhapën në vreshtarinë italiane e më gjerë, përmendet në botime nga një sërë shkrimtarësh latinë (“The Oxford Companion of Wine” New York 1994). Në këtë vazhdë, profesori italian me shumë emër në vreshtarinë botërore, Atilio Scienza, ka ndërmarrë studimin krahasues që nëpërmjet përcaktimit të ADN-së në kultivarët shqiptarë dhe italianë, të saktësojë rrugën aq të lashtë të kalimit të materialit mbjellës për hardhitë, nga prejardhja e Lindjes së afërt nëpër Greqi, Shqipëri e më tej.
Nga dokumenta kadastrore të shekullit të XI-XV, me dhjetra treva e fshatra, prodhim kryesor kishin rrushin, si Kopliku, Shesh-Ndroqi në Tiranë, 57 fshatra në Vuçiterrë të Kosovës etj. Regjistrimi i vreshtave në vitin 1431, se nga 1123 fshatra të vendasve, të vendosura prej Konispolit deri në lumin e Matit, 14% e tyre kishin vreshta të taksueshme, ndërsa në zonën Përmet-Korçë, arrinte në 26 %.
Evlia Çelepia, që udhëtontë nëpër Shqipëri, gjatë viteve 1660-1670, shkruan se Elbasani kishte 20 mijë dynymë me vreshta, Shkodra 23 mijë dynymë, Skrapari 70 mijë dynymë. Krahas shtresave të tjera të popullsisë, spikaste edhe ajo e vreshtarëve.
Në trojet shqiptare, hardhitë kanë fqinjësi shekullore me ullirin në zonën e ulët e kjo vazhdon me gështenjën e arrën në zonën e brendshme, e cila është më e freskët.
Trojet shqiptare janë ndër vatrat më të hershme të krijimit dhe ruajtjes së hardhive të egra, Larushkëve dhe atyre të zelitura. Kjo dëshmohet edhe me ekosistemin e hardhive rastësore dhe zonat tipike ku zeliten vreshta e pjergulla. Të tilla mund të përmendim Tejdrinin / Zadrima dhe Mbishkodra, Shesh-Ndroqi në Tiranë, Nartë-Panaja në Vlorë, Polenë / Goskovë në Korçë,
vazhdimësia Leskovik-Përmet-Skrapar.

Vera, që nga antikiteti e deri në ditët e sotme, është një pije e gjithë shtresave të popullsisë, por gjithsesi cilësia e saj e lartë ka qenë gjithnjë e lidhur me emrat e fisnikëve apo edhe të mbretërve, të cilët kanë pasur verëra të veçanta e të përzgjedhura. A ka gjurmë të këtij lloj kultivimi apo më mirë të kësaj lloj lidhje, të parisë shqiptare me verën dhe nëse po, a ka ndikuar pozitivisht kjo gjë në traditën tonë?

Familjet e mëdha fisnike dhe pasanike vendase, kanë ndikuar jo pak në verëtarinë dhe vreshtarinë shqiptare. Në shekujt VII-VIII, familja Çinna, me prona buzë liqenit të Shkodrës, vilen (bistakun) e rrushit e kishte simbol të saj dhe të pasurisë që zotëronte. Gjatë Mesjetës numëroheshin disa familje fisnike të cilat kishin përzgjedhur dhe tipizuar kultivarë hardhishë. Kështu, Blinishtët dhe Dukagjinët, të cilët zotëronin Tejdrinin dhe Mirditën e më tej, punonin me Kallmetin; Balshajt me Vrancin (mundet me prejardhje nga Vranja në Malësinë e Shkodrës, ku legjendari Oso Kuka luftoi kundër pushtuesve; në popull “vranë” quhet korbi i zi sikurse kjo lloj vere); Muzakajt, Shpatajt, Topiajsit të cilët zotëronin ultësirën bregdetare që nga Vjosa deri në gjirin e Ambrakisë, u morën edhe me “Vloshin”; Kastriotët me “Cerunë” dhe pinjollët e Topiajve në Durrës-Krujë-Tiranë, punuan me “Sheshin”. Me pushtimin e vendit nga perandoria osmane, shumica e familjeve fisnike u shuan dhe për këta kultivarë e vreshta përkatëse, kryesisht u përkujdesën manastirët e kishat pranë tyre.
Në vazhdën e kësaj tradite, nuk janë të rastit diplomat dhe çmimet e fituara nëpër panaire. Në 1903, në Selanik (Greqi), familja Suma nga Shkodra, fitoi diplomën Sofia për verën e saj; më 1936, përsëri në panairin e Selanikut dhe në 1937 në panairin e Lindjes, Bari (Itali) 1937, familja tjetër shkodrane Çobaj, fitoi diplomë për verërat e saj. Gjithashtu përmendet konkursi kombëtar 1940 që nxorri fitues vreshtarët-verëtarët Vasiul Nuçi (Pogradec) dhe Luc Preldushi (Bajzë-Malsi e Madhe).

Po në periudhat e mëvonëshme, si vijoi bashkë-udhëtimi i vreshtarisë e verëtarisë me rritësin e prodhuesin shqiptar?

Në vreshtarinë dhe verëtarinë shqiptare, gjatë shekullit të XX, mund të shquajmë disa kulme:
Nga rreth 4 mijë ha vreshta pas shpalljes së Pavarsisë, u arrit në afro 20 mijë ha në 1990. Gjatë viteve 1960-1980, në kurorat kodrinore dhe kodrat gurishtore përreth pjesës më të madhe të qytetit u krijuan blloqe vreshtare me 200-500 e deri në 2-3 mijë ha.
Nëntë fidanishte, edhe kundër filokserës, të ngritura në vitet 20-30, u shumuan në 26 në vitet ’80.
Me gjithë shkatërrimin masiv të vreshtave në vitet ‘90, tanimë kemi rreth 10 mijë ha vreshta me strukturë varietore dhe teknologji relatvisht të kohës, prandaj prodhimi i rrushit ka tejkaluar atë të viteve ’90 dhe tashmë është më cilësor.
Industria e mirëfilltë për prodhimin e rrushit zanafillën e ka në katër fabrikat e viteve ’30 (Elbasan, Korçë, Shkodër, Tiranë) duke arritur në rreth 100 fabrika e punishte në vitet ‘80. Tashmë industria private e kapilarizuar anembanë vendit, prodhon dyfishin e sasisë së verës, likereve dhe rakisë së viteve ‘90.

Prodhimi vendas, është në pozicion superior apo inferior ndaj atij të huaj dhe a luan rol përfitimi, trashëgimia e vreshtarisë që ka vendi ynë?

Përfitimet përgjithsuese nga trashëgimia e vreshtarisë shqiptare janë me natyrë të larmishme:
Germoplazma në shërbim të përmirësimit gjenetik dhe kultivarë hardhishë që kanë origjinalite dhe vlera të tjera; për shekuj janë përshtatur në kushtet e trevave përkatëse, kanë veçanti përsa i përket aromës, shijes, ngjyrës etj, më mirë u qëndrojnë parazitëve e vështirësive klimatike. Të tillë janë rrushi dhe vera Kallmet, Shesh Vlosh, Debinat dhe Serinat, Pulës dhe Cernie etj; ndërsa për rrush tryeze shquhen Çaushi Tajkat dhe Hafazali.
Në strukturën varietore të shqiptarëve kultivarët vendas do të vazhdojnë të kenë vendin e tyre sepse zotërojnë vlera alternative ndaj kultivarëve ndërkombëtarë.
Sisitemet tradicionale të mbajtjes së hardhive, sidomos ato pjergull e kupore, ende janë në frytshmëri sepse përshtaten në kushte klimatike-tokësore dhe për përcaktim prodhimi të rrushit.
Rritja e vreshtave dhe pjergullave në lartësi të mëdha, deri në 1300 m mbi nivelin e detit, sikurse ndosh në fshatrat Dardhë, Sinic, Grapsh etj (rrethi i Devollit) ku u përhapën kultivarë me rrush të bardhë dhe pjekje të hershme.
Mbjellja në dendësi më të madhe deri në 8000 hardhi/ha sikurse veprohet në Shesh (Tiranë) në toka tejet të pjerrëta dhe skeletike për cilësi rrushi më të lartë.

Profesor, duke ju falenderuar që sollët këtë panoramë të zhvillimit të traditës së vreshtarisë e verëtarisë, që nga antikiteti e deri në ditët tona, do të ishte me interes të dinim mendimin tuaj, në lidhje me të ardhmen në këtë drejtim.

Ardhmëria e vreshtarisë dhe verëtarisë shqiptare, mbështetet dhe në trashëgimin e saj, krahas kushteve klimatike tokësore aq të përshtatshme, popullatës dhe krahut të punës ende të shumtë që merret me bujqësi, përkushtimit profesional dhe investimit në këto veprimtari.
Ardhmëria e këtyre veprimtarive sa mjeshtërore aq fitimprurëse mund të ketë një sërë drejtimesh:
Vreshtim në kapilar në rrafshin horizontal dhe në atë vertikal në tokat bujqësore deri 1000-1300 m lartësi, bashkrendimi i vreshtave me sipërfaqe krahasimisht të mëdha për prodhim tregu - me ato të kopshteve për shtëpiak dhe nevoja kryesisht familjare.
Potencialet ekologjike të vendit dhe leverditë e këtij biznesi, flasin për mundësi të 70-100 mijë ha vreshta ku brenda 20-30 viteve të ardhëshme synohet të arrihet deri në 30-35 mijë ha vreshta.
Industria përpunuese e rrushit përbëhet nga mbi 100 kantina. Me prodhimin e madh cilësor të rrushit dhe kërkesat në rritje të tregut vendas dhe eksportit, mundësohet modernizimi i mëtejshëm i saj, ngritja e kantinave me aftësi përpunuese më të mëdha në shkallë rajoni. Me rreth 200 mijë tonë prodhim rrushi që parashikohet në vitin 2030, leverdis një aftësi përpunuese për rreth 1.4 milionë hektolitra verë. Përfytyroni mesataren e 10 kg rrush tryeze dhe 20 litra verë për frymë popullsie në Shqipëri!
Kini parasysh se në Itali dhe Francë, që kryesojnë në verëtari botërore përdoren rreth 70 litra verë për frymë.


TE HUAJT

Revista franceze "Historia"
Autori: Richard Lebeau, Specialist për Egjyptin e lashtë dhe enolog

“Gjeografi Strabon, pak kohë para vdekjes së tij, e cila ndodhi në vitin 14 para lindjes së Krishtit, vizitoi portin Budigala, emri me të cilin quhej Bordoja në ato kohë. Në përshkrimin që ai i bën qytetit dhe rrethinave të tij, nuk përmendet fare pija e verës. Në anën tjetër, në vitin 71 pas lindjes së Krishtit Plini i Vjetër, i cili zhvilloi të njëjtën vizitë, përmend egzistencën e kësaj kulture. Duke u nisur nga këto referenca, duket se vreshtaria në Bordo u zhvillua ndërmjet këtyre viteve. Sidoqoftë, një gjë është e sigurtë, se vreshtarët tanë vendosin që të prodhojnë verën e tyre. Ata shpresonin që të fitonin nga tregtia fillestare ndërmjet brogjeve të Gironde dhe Thames, të pushtuara nga imperatori Klaud në vitin 43 pas lindjes së Krishtit. Që të realizonin këtë gjë ata duhet të gjenin një lloj hardhie që ti përshtatej klimës së zonës. Ata zgjodhën që të mbillnin hardhi të sjella nga Durrësi, në Epir. Kjo lloj hardhie është paraardhësi në distancë i kabërne-savinjonit, “motorri me shpejtësisë të lartë” i Bordosë aktuale.
Vreshtat e mbjella me këtë hardhi (duke ju referuar Kolumelës, një shkrimtar latin që ka shkruar një traktat për agrikulturën në 12 libra), durojnë shiun dhe stuhitë. Këto vreshta (gjithnjë sipas Kolumelës) prodhojnë një lloj vere e cila përmirësohet me kalimin e kohës.”


Revista italiane: IL SIMPATICO
Autori: Lucio Brancadoro, nga Universiteti i Milanos

“Kulumela tregon se ky varietet vjen nga Durrësi, në Shqipëri dhe dinte se kultivohej në zona të ndryshme në Hiberi (Spanjë) dhe më shumë se kudo, aty ku sot ndodhet Rioja. Megjithatë prezenca e tij në Itali është provuar së paku që nga viti 1700.”

Revista elektronike

Në këtë faqe interneti jepet informacion për verërat e Siçilisë si dhe për ushqimet e saja. Këtu tregohet zanafilla e kultivimit të Cabernet Sauvignon. Në ndryshim nga artikujt e tjerë, këtu jepet edhe lloji i rrushit i cili është marrë në Shqipëri, Balisku i famshëm (duke ju referuar shkrimtarit latin Kolumela).
“Kabernetet kanë një origjinë antike, por të paqartë si zonë gjeografike. Kaberneti është prodhimi antik i Biturikës, që gjendet në Bordo edhe me sinonimin e “Vidure”(term i përfituar nga “vingne dure”, i cili tregon rezistencën e hardhive).
Plini i Vjetër, në vitin 71 pas lindjes së Krishtit, tregon se në Bordo egzistonin vreshta të mbjella nga fiset Biturgë e për këtë arsye kultivimet u quajtën “Vitis Biturica”. Kolumela thotë se “Vitis Biturica”, nuk është gjë tjetër veçse “Balisku” që kultivohet në Durrës, Epir. Nga Balisku duhet të rrjedhë edhe familja e varietetve e Karameneres ose Karamenets, përfshirë këtu edhe Kabërne Savinjo, Kabërne Frank, Merlot, Pëti Verdo. Kolumela e dinte se provinca të ndryshme në Spanjë, kultivonin Baliskun, veçanërisht Rioja (pranë zonës së Bordosë) që e kishte eksportuar këtë varietet edhe në Gironda.”